Forumi i Cokollata.comArti dhe Kultura Gjuha shqipe SHTIGJE TE ALFABETIT SHQIP
Faqe: [1]   Shko Poshte
Printo
Autor Teme: SHTIGJE TE ALFABETIT SHQIP  (Lexuar 1287 here)
LuNa
*Königin der Nacht*
Stafi Moderues
Cokollatist/e
*****

Vleresimi: 63
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Femer
Postime: 2524


"Meqe brenga eshte burimi i gezimit, mos vajto....


Shiko Profilin
« : Nëntor 17, 2009, 08:07:07 MD »

Pavarësisht ndeshtrashave historike që shtrënguan rrjedhën e përdorimit publik të shqipes letrare qyshse ajo doli nga prehistoria duke u shfaqë si gjuhë e shkruar, mund të thuhet plot gojë se deri në fillim të gjysmës së dytë të shek. XX, korpi i kësaj gjuhe kish mundur të naltohej vetëm si rezultat i kompromiseve të mëdha të elitave që e lavronin atë. Në themel të këtyre ujdive me rëndësi jetike për gjithë shqiptarët, afërmendsh qëndronte çështja kombëtare. Parsat e lëvizjeve të mëdha kulturore në trevat arbënore jo rrallë lëshuan pjesë nga bindjet e pëlqimet e veta, për ta lënë kulturën shqiptare të rritej pa humbur kohë në ato momente tepër delikate për ardhmëninë e trevave tona, ndër më delikat e historisë së re. Një nga shembujt më domethanës të këtyre kompromiseve kombëtare qe pikërisht Kongresi i Manastirit, për të cilin nuk e teproj po të them se nuk do t’ish përmbushë pa tolerancën historike të Gjergj Fishtës.

Do ndaloj këtu në dy aspekte te cilat kanë pasur ndikim të rëndësishëm në ecurinë e mëtejshme të gjuhës, më pak deri para luftës së dytë, e më tepër pas saj. E para çështje ka të bëjë pikërisht me një lëshim nga ana e përfaqësuesve të koinesë gege, i cili nuk u bë në mënyrë akritike, por për efekt të një kompromisi linguistik e që sidoqoftë nuk duhej të kish pasoja mbi gjuhën e shkrueme a të folme, por do të ish ekskluzivisht i natyrës grafike. Kështu një pjesë e tingujve të toskënishtes si gj e nj, të cilat nuk mund të paraqiteshin me germa teke të alfabetit latin të Manastirit u vendos të paraqiteshim me germa dyshe, të huazuara nga tradita e mëparshme (kryesisht arbëreshe). Kjo përbante një problem të vërtetë për të folunat e lavruara të gegnishtes, pasi për ta grupi gj apo nj përbëhej në realitet nga dy unitete të mëvetësishme në rrjedhë akustike: psh fjala gjuha shqiptohej g’juha (për të shmangur keqshqiptimin, Gazulli p.sh. më pas vendos një ë mbështetëse pazane, e cila nuk shqiptohet, por shërben për të ruajtur ortoepinë gege) apo fjala njeri që në gegnisht shqiptohet gjerësisht n’jeri . Ky ishte një kompromis i madh. Them kompromis, pasi nuk u ndoq e njëjta logjikë për fonemat gege mb, nd, ng. Këto variante tingullore nuk u përfaqësuan me germa dyshe në alfabet dhe Kongresi i Manastirit e la të pazgjidhun këtë problem, duke e pranuar si të tillë, pra si problem. Nëse do të ishin pranuar këto variante me germa dyshe sikundër u veprua me gj dhe nj, atëhere do të kishim mbërritur në një alfabet prej 39-40 germash. Nuk është vendi këtu të analizojmë se çfarë morën në këmbim të këtij kompromisi përfaqësuesit e koinesë gege, por në klimën e një obsesioni të kuptueshëm për unifikim të domosdoshëm të shkrimeve shqipe, u vendos që alfabeti të kishte 36 shkronja që për hir të së vërtetës duhet thënë se ato u përgjigjeshin drejtpërdrejt vetëm 36 tingujve të shqipes. Këtu në të vërtetë u krye edhe një ngatërresë e dytë, pasi u unifikuan germat me grafemat transkriptuese. Për të qenë më të qartë grafema dh përbëhet nga germat d dhe h, por nuk ekziston një germë dh ashtu si në anglisht nuk ekziston germa ph tek phenomen. Kësisoj dh-ja ekziston si grafemë vetëm për ta transkriptuar këtë tingull. Do të konsiderohej germë nëse do të ishtë një germë e ndryshme nga cilado prej germave të alfabetit latin. Në fakt ky rregull nuk u ndoq për tingujt e gegnishtes mb, nd, ng, të cilat u konsideruan nga kongresi si variante të pjesshme të shqipes (koine veriore) të cilave u përgjigjeshin grafemat përkatëse nn ose nd, mm ose mb etj., por nuk morën për shenjues germa apostafat, ashtu sikurse pati dh-ja dhe nj-ja. Nëse do të ishte ndjekur kjo logjikë jo përfaqësuese edhe për variantet tingullore të toskërishtes, do të ish krijuar mundësia që secila prej dy koineve t’i artikulonte këto dy germa gjithë sipas ortoepisë së vet – më konkretisht: toskët gjuri dhe gegët g’juni.

Menjëherë pas Kongresit të Manastirit Anton Xanoni punon Gramatikën Shqyp të cilën e boton një vit më vonë, në 1909 në Shkodër, dhe në njoftimin „Abeçeja e ree vûemun me t’vjetrën” shënon se në shkrim grupi mb zëvendëson atë mm, grupi nd atë nn etj. Kjo do të risanksionohej vazhdimisht edhe në tubimet e mavonëshme. Aq e vërtetë është kjo sa dhjetë vjet më vonë, në janar të 1918, krahas rregullarizimeve të tjera të natyrës drejtshkrimore e gramatikore, Komisija Letrare Shqipe, në bleun Parime e rregulla – mbi Orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme, në nyjen 4 vendosi se „ tufat e bashkëzânorevet mb e nd do të shkruhen në formën e vjetër të ruajtun në djalektin toskënisht“. Por kjo sikurse u tha edhe më lart nuk kishtë të bënte me shqiptimin, i cili vijonte të ruante veçanësitë e dy koineve. Nëse do të ishte ndjekur ky rregull edhe për fonemat gj e nj, alfabeti do duhet të kish pasur e shumta 34 grafema. Fatkeqësisht, megjithë arritjen e madhe dhe shumë të lëvdueshme që Kongresi i Manastirit pati në unifikimin dhe krijimin e një alfabeti të parë të përbashkët për gjuhën shqipe, pranuar me kohë nga të gjithë, megjithkëtë pra, asnji nga tubimet, konferencat apo kongreset e mëpastajme nuk e ballafaqoi dallimin mes germës dhe grafemës. Ky ishte njëri ndër kompromiset e mëdha të Fishtës. 

“Për hatër të kombit, nuk mund të bâhej ndryshe”  iu pat gjegjë me këtë rast Fishta qortimeve të Abatit të Mirditës, i cili ia kish besu atij përfaqësimin e Shoqnisë Bashkimi. “E gjithqysh,” shtoi Fishta mandej, jo pa shend “me këtê alfabet giuha shqype vojt kah Prendimi!”

Sot, plot njiqind vjet pas kësaj fraze të Fishtës, po e shndroj në pyetje këtë pohim ngazëllyes të tij: A u vazhdua kjo rrugë kompromisesh për zhvillimin e gjuhës shqipe, e cila po ndronte motin, duke hyrë në erën moderne të saj, s’bashku me shqiptarët?

Nëse kompromisi në favor të shqiptimit të toskërishtes do të ishtë ndjekur siç u ndoq deri më Dyzetekatrën nga një tjetër kompromis i elitave kulturore, pra nga zgjedhja e elbasanishtes si variant i përbashkët i shqipes, ndoshta sot pasojat shtrënguese të grafisë mbi shqiptimin do të kishin qenë më të lehta. Porse Revolucioni Kulturor në Shqipëri, zëvendësoi po me revolucion edhe bazën historike të shqipes së përbashkët, duke asgjësuar kësioj vlerën e të gjitha kompromiseve demokratike të elitave tona kulturore në rrjedhë të kohëve. Në këto kushte, anshmëria e alfabetit tonë, e marrë si element jashtëkontekstual, pikërisht se doli jashtë konteksteve të tolerancës ku qe realizuar, shërbeu si element për të mistifikuar dhe keqservirur mjaft nga zgjedhjet e mëpasshme. Në kuadër të këtyre mistifikimeve u pohua pra, se zgjedhja e toskërishtes si bazë e shqipes ish përcaktuar qysh me vendosjen e këtij alfabeti. Dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën e alfabetizimit (shkollimit) masiv të shoqërisë shqiptare. Ç’dua të them me këtë? Në procese alfabetizimesh masive, shkrimi, siç na ka dëftuar Saussure, fiton një prestigj të epërm e në fakt të pamerituar ndaj gjuhës së folur. Kësisoj edukimi gjuhësor i bashkësisë rrezikon të shndërrohet i gjithë në edukim antidemokratik, nëse shkrimi, gjuha e shkruar është konceptuar si përjashtuese e entiteteve të qenësishme të gjuhës së folur e jo si unifikuese tyre. Në kushte të tilla, një ortografi përjashtuese sikundër është jona, mbështetur mandej në një alfabet, i cili, duke u zhveshur nga zinxhiri i kompromiseve, ka mbetur edhe ai i pjesërisht i anshëm (pikërisht se fort i rënduar), shndërrohen në mjete “armiqësore” ndaj shqiptimeve tradicionale të shqipes, duke i denatyruar apo paralizuar ato. Për efekte të tilla të dëmshme flet edhe Saussure kur shprehet se “tirania e shkrimit vërtet s’njeh kufi: duke iu imponuar shumicës, ajo ndikon mbi gjuhën dhe e ndryshon atë. Të kuptohemi, ndryshimi ndodh vetëm te gjuhët tepër të letrarizuara, ku dokumenti i shkruar luan rol të madh. Kështu, figurat pamore arrijnë deri aty sa të prodhojnë shqiptime krejt të shtrembëra; kemi të bëjmë në thelb me një fakt patologjik. Shtrembërimet fonike që përmendëm, ndonëse kanë të bëjnë me gjuhën, nuk janë të krijuara natyrshëm prej saj, por janë pjellë e një faktori të huaj për të. Gjuhësia duhet t’i shqyrtojë ato si një kapitull më vete: janë të gjitha raste teratologjike“.

Prishjen e këtyre kompromiseve dhe pasojat e një përzjerje filozofike sui generis në përcaktimin e zhvillimeve korrente të gjuhës, përzjerje e cila mori nga kompromiset historike vetëm ato çka i volisnin për të përligjur vendimet e saj mirëfilli ideologjike, të gjitha këto pasoja pra, i parandjenë disa nga mendjet e lira të gjuhësisë sonë asokohe. Për ta mbrojtur gjuhën deridiku nga teratologji të tilla, të cilat do të përjashtonin qoftë nga përfaqësimi e qoftë nga kontributi i vijuar në shqipen e përbashkët plot tre të pestat e bashkësisë shqipfolëse brenda dhe jashtë kufijve tanë të sotëm shtetërorë, këto mendje sugjeruan që drejtshkrimi i shqipes të përcaktohej jo dhe aq si drejtshkrim fonetik, por ma fort si drejtshkrim fonematik (thënë ndryshe fonologjik). Në këtë sugjerim ata kishin pasur parasysh se fonologjia i kthen sytë nga gjuha e folur dhe nga rrjedhat e saj, të cilat përveçse më konservatore, janë edhe më të natyrshme. Po të ish pranuar një sugjerim i tillë, ndoshta mund të ish shtruar qysh atëherë për zgjidhje çështja e grafemave të alfabetit, në kushtet e një baze të re dialektore e cila përforcohej nga anshmëria grafike. Natyrisht që sugjerimi për drejtshkrim fonematik nuk u pranua, e madje edhe kërkesa për drejtshkrim fonetik u kompromentua fort nga ndërhyrje subjektive me përligjie etimologjike apo morfologjike. Të gjitha këto sollën frenimin e pasurimit të shqipes dhe pamundësinë e një mase të madhe shqipfolësish për të kontribuar në zgjerimin e vijuar të këtij mjeti të përbashkët komunikues.

Alfabeti ynë, i cili zgjodhi Europën njëqind vjet më parë, duhet të vijojë të europianizohet, duke ruajtur kësisoj lidhjet e natyrshme historike të gjuhës shqipe me simotrat e saj, lidhje që janë krijuar gjatë bashkëjetesës së saj në familjen e gjuhëve indoeuropiane. Ky përditësim alfabetik në fakt duhet të kishte ndodhë sinkron me të tjerët, pas luftës së dytë botërore, atëherë kur shtetet rrotull nesh nisëm punën për modernizimin e kulturave të tyre dhe përhapjen e tyre në popull po me mjete moderne, që domethënë edhe demokratike. Ndërsa te ne ky zhvillim u step, madje në do fusha që përkonin me çështje të mendimit e të trashëgimisë, ndër të cilat ajo e gjuhës është e tillë par exellence, në këto fusha pra u shënuan hapa prapa. Ky alfabet duhet të lehtësohet, duke ndjekur rrjedhat e kohës, pa hequr dorë natyrisht nga thelbi i tij. Për t’i çelur rrugë historisë të vërshojë sërish në gji të shqipes së përbashkët e ta shndërrojë atë me kohë nga gjuhë e drunjtë siç është sot në përftesë të natyrshme e të vetvetishme të evolucionit, them se njëra nga ndërhyrjet në punë të gjuhës duhet të jetë edhe thjeshtimi i alfabetit, pa i hequr asnjë germë të qenësishme atij. Sikurse kanë bërë me grafitë e veta edhe popujt e tjerë rrotull nesh, madje edhe tash së fundi (Gjermania, Greqia, Franca, etj).
Identifikuar

((((`*•.¸((`*•.¸ ¸.•*´))¸.•*´))))
     ((((`****~L U N A ~*****))))
((((¸.•*´((¸.•*´ `*•.¸))`*•.¸))))
LuNa
*Königin der Nacht*
Stafi Moderues
Cokollatist/e
*****

Vleresimi: 63
Jo Ne Linje Jo Ne Linje

Gjinia: Femer
Postime: 2524


"Meqe brenga eshte burimi i gezimit, mos vajto....


Shiko Profilin
« Pergjigju #1 : Nëntor 17, 2009, 08:07:53 MD »

Gjuhët neolatine apo gjermanike i kanë mëse të thukëta alfabetet e tyre; për pasojë variantet e ndryshme tingullore realizohen lirshëm në rrjedhën e të folurit përmes ligjësive fonologjike të bashkëveprimeve në zinxhirin akustik. Nuk ka një germë më vete për të treguar sh-në, apo xh-në në italisht, apo sh e ç në gjermanisht. Kombinimi në zinxhirin shkrimor i vetëm 21 germave jep spektrin e variacioneve fonematike të gjuhës italiane. E po ashtu realizojnë më së miri këtë spektër artikulimesh edhe 26 germat e thjeshta të frengjishtes, 26 të anglishtes etj. Dhe po ta mendosh pak më hollë këtë çështje, kupton edhe më tepër; kupton se në gjuhë s’ka thjesht tinguj, por shtrirje tingujsh në rrjedhën e folur. Nuk janë tingujt ata që i hasim pikësëpari; rrokja shfaqet më drejtpërdrejt se tingujt që e përbëjnë. Nërkohë që grafia e sotme pengon një realizim të tillë fonik, në të folmet vulgare ato vijojnë të ndodhin, porse pikërisht prej lidhjeve të ngurta e pjesërisht të anshme që ka ngulitur në alfabet prania e disa grafemave transkriptive bri germave të thjeshta, këto kombinime të lira të rrjedhës së folur sot nuk mund të përfaqësohen dot përtej cakut të vulgares. Kjo na kujton atë që thotë Saussure: Ta zëmë se një kordë e pianos është çakorduar: sa herë që ta prekim duke ekzekutuar një melodi, do të na dalë një notë e gabuar, po ku? Në vetë melodinë? Sigurisht që jo; nuk është prekur melodia; është dëmtuar vetëm pianoja. Po kështu ndodh edhe në fonetikë…

Gjuhët e mëdha rrotull nesh i kanë thjeshtuar kohë pas kohe alfabetet e veta, gjithë sipas logjikës që kombinimet fonike të përcaktohen nga tingujt, jo nga fotografia e tyre, pra nga shkronjat. E kanë bërë këtë edhe gjuhë të mëdha si anglishtja e gjermanishtja. Madje për këtë të fundit kujtoj këtu se reforma e mbrame në alfabet u krye vetëm pak vjet më parë.

Thjeshtimi i alfabetit tonë pa humbur asnjë nga vlerat e tij mbetet nje çështje që duhet riparë, pasi prej mëse një shekulli nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje modernizuese në këtë alfabet, i cili gjithsesi edhe atëherë u vendos në kushtet e një trysnie të madhe të çështjes së pajtimit kombëtar. Thjeshtimi i alfabetit tonë, duke lënë në të vetëm germat e thjeshta teke, jo vetëm ruan ortoepinë e gjuhës standarde, por nuk trys artificialisht të folmet gege, të cilat bashkimet e germave dhe shndrimet e tyre në tinguj e rrokje mund t’i kryejnë më pas sipas ligjësive të veta, siç ndodh gjithkund në botë. Kështu format nuk denatyrohen, kështu shkrimi dhe shqiptimi marrin secili peshën që u takon. Pse e kërkoj rivendosjen e ekuilibrit mes pozitës së shkrimit dhe pozitës së shqiptimit? E kërkoj në dobi të evolucionit të natyrshëm diakronik të gjuhës sonë, ngase, sikundër thotë Saussure “gjithë ç’është diakronike në gjuhë, është e tillë vetëm përmes të folurit“.

Ledi Shamku-Shkreli
Identifikuar

((((`*•.¸((`*•.¸ ¸.•*´))¸.•*´))))
     ((((`****~L U N A ~*****))))
((((¸.•*´((¸.•*´ `*•.¸))`*•.¸))))
Faqe: [1]   Shko Lart
Printo
Shko te: